Në vijim të bashkëpunimit me Rrjetin Evropian të Trajnimit Gjyqësor, bëri një vizitë pune në Shkollën e Magjistraturës, Sekretarja e Përgjithshme e EJTN Ingrid Derveaux. Vizita zhvillohet në kontekstin e marrjes së detyrës nga Zj. Derveaux si sekretare e përgjithshme e rrjetit dhe përforcimin e lidhjeve me të gjitha institucionet e trajnimit gjyqësor, veçanërisht në rajonin e Ballkanit. 

Në takimin e zhvilluar me Drejtorin e Shkollës së Magjistraturës, Z. Arben Rakipi, u bë një parashtrim i të gjitha drejtimeve të bashkëpunimit të patur nga shkolla me Rrjetin Evropian të Trajnimit Gjyqësor, si në drejtim të formimit fillestar ashtu dhe në trajnimin e vazhduar të magjistratëve në detyrë. 

Zj. Derveaux e vuri theksin tek intensifikimi i bashkëpunimit me Shkollën e Magjistraturës në të gjithë komponentët e tij si pjesëmarrja e kandidatëve për magjistratë në programet e ndryshme të shkëmbimit me shkollat e magjistraturës të shteteve anëtare të BE, apo dhe pjesëmarrja e magjistratëve në detyrë në programe afatshkurtra shkëmbimi në gjykatat dhe prokuroritë evropiane. Një ndihmë të konsiderueshme po jep në këtë drejtim projekti i EJTN për Ballkanin Perëndimor ku shkollës i janë ofruar mundësi pjesëmarrjeje në aktivitete të ndryshme. 

Drejtori i Shkollës, Z. Rakipi, shprehu interesin dhe qëllimin e SHM për të rritur bashkëpunimin për të marrë mbështetje nga gama e gjerë e mundësive profesionale që ka EJTN për të siguruar ekspertizë sa më të specializuar sipas nevojave të Shkollës. Më konkretisht, u ra dakord që të vijohet angazhimi i kandidatëve për magjistratë në konkursin THEMIS, të vijohet me pjesëmarrjen e magjistratëve në detyrë në aktivitete trajnuese në vende të BE-së si dhe të  bashkëpunohet për ngritjen e një grupi trajnerësh sipas standardeve evropiane për realizimin e një pakete trajnimesh për aftësitë jo-juridike apo soft skills që duhet të kenë magjistratët në detyrë për një zbatim sa më efikas të detyrave të tyre të përditshme gjyqësore. Njëkohësisht, aktivitete të Shkollës së Magjistraturës do të kenë hapësirën e tyre në ëebsite-n e EJTN, por edhe literaturë juridike dhe profesionale ligjore nga EJTN do të mund të përfshihet në bibliotekën dixhitale që ka Shkolla e Magjistraturës. 

← Kthehu te lista