Më datë 10 nëntor 2026, Shkolla e Magjistraturës në bashkëpunim me Expertise France, zhvilloi aktivitetin trajnues me temë “Trajnimi i Specializuar Multidisiplinar mbi Çështjet Mjedisore me Partnerët e Zinxhirit të Drejtësisë Penale”, pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës.
Aktiviteti zhvillohet nën drejtimin e znj. Joelle Casanova, magjistrate dhe koordinatore e formimit të vazhdueshëm pranë Shkollës Kombëtare të Magjistraturës së Francës (ENM), si dhe Znj. Elvana Çiçolli, gjyqtare dhe eksperte e Shkollës së Magjistraturës së Shqipërisë, në kuadër të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave në fushën e drejtësisë dhe mbrojtjes së mjedisit, si dhe me ekspertizën e z. Ilir Iseni gjyqtar nga Maqedonia e Veriut dhe z. Artan Kroma, gjyqtar nga Mali i Zi.
Trajnimi u zhvillua përmes një ushtrimi praktik të bazuar në një skenar të simuluar të një emergjence mjedisore, ku pjesëmarrësit u angazhuan në role të ndryshme institucionale. Ushtrimi synoi të testonte mekanizmat e reagimit, identifikimin e përgjegjësive ligjore, administrimin dhe ruajtjen e provave, si dhe koordinimin në rastet me dimension ndërkufitar.
Përmes kësaj metodologjie interaktive, pjesëmarrësit patën mundësinë të analizojnë situata konkrete, të ushtrojnë vendimmarrjen dhe të trajtojnë sfidat që lidhen me ndërthurjen e menaxhimit të emergjencave mjedisore me hetimin penal.
Aktiviteti synoi forcimin e kapaciteteve profesionale dhe përmirësimin e bashkërendimit ndërmjet institucioneve të përfshira në parandalimin dhe hetimin e veprave penale kundër mjedisit.
Në aktivitet morën pjesë gjyqtarë dhe prokurorë, si dhe përfaqësues të Institutit të Shëndetit Publik, Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, duke sjellë këndvështrime dhe përvoja të ndryshme profesionale në trajtimin e çështjeve mjedisore.
