Në kuadër të projektit AICS-CSM “Mbështetje për Shkollën e Magjistraturës në kuadër të reformës kushtetuese” që implementohet në bashkëpunim me Këshillin e Lartë të Magjistraturës së Italisë si dhe bashkëpunimit me Projektin EU4Lea të Bashkimit Evropian, në datën 15 Maj 2023, u realizua pjesëmarrja e ekspertëve italianë në aktivitetin trajnues me tematikë “Përgjimi, infiltrimi, blerja e kontrolluar etj., mjete të kërkimit të provës si të veçanta në mbështetje të hetimeve komplekse dhe proaktive. Praktika jonë gjyqësore dhe ajo e GJEDNJ-së. Njoftimi anonim i kryerjes së veprës penale. Rëndësia dhe kompetenca e prokurorit pas marrjes së tij”. 

Aktiviteti u zhvillua në ambientet e Shkollës së Magjistraturës në Tiranë, ku të ftuar nga Shkolla morën pjesë Z. Carmine Pirozzoli, Menaxher i Projektit Italian, Z. Giovanni Conzo Zv/prokuror nga Prokuroria e Romës, Z. Egidio Lardo, nënkolonel i Carabinierisë Italiane, projekti EU4Lea. 

Aktiviteti u përshëndet nga Drejtori i Shkollës, Z. Arben Rakipi, që ishte njëkohësisht edhe me cilësinë e ekspertit të seminarit, dhe dy ekspertët e tjerë, z. Erjon Bani dhe z. Madrit Kullolli. Aktiviteti i sotëm u përqëndrua në trajtimin e rëndësisë së përgjimit si mjet i provës dhe infiltrimin dhe blerjen e kontrolluar. Ekspertët e BE-së u fokusuan tek lufta kundër organizatave kriminale me objekt interceptimet, sekuestrimet dhe konfiskimet. Njëkohësisht gjatë ndërhyrjeve të tyre ekspertët trajtuan edhe metodat e hetimit për investigimin e aseteve dhe masat e ligjit antimafia. 

Ky aktivitet është i treti i një serie aktivitetesh ku angazhohen si ekspertë magjitratë italianë në kuadër të projektit të bashkëpunimit me Këshillin e Lartë të Magjistraturës së Italisë dhe projektit EU4Lea.  

← Kthehu te lista