
Shkolla e Magjistraturës, më datë 10 maj 2024, zhvilloi aktivitetin trajnues me temë: “Shpronësimi si kufizim i të drejtës së pronësisë për një interes publik. Shpronësimi formal dhe shpronësimi faktit. Problematikat e hasura në praktikë si pasojë e ndryshimeve të shpeshta të akteve normative mbi vlerat e kompensimit. E drejta e padisë në këto gjykime dhe afatit i parashkrimit të padisë. Problematikat e hasura në praktikën gjyqësore”.
Ky aktivitet u drejtua nga:
Ekspertë: Mariana Semini-Tutulani, Arbena Ahmeti
Qëllimi i këtij trajnimi ishte: Përcjellja e praktikës gjyqësore të Gjykatës së Lartë, e Gjykatës Kushtetuese dhe e GJEDNJ-së për raste gjyqësore, së fundmi për procedurat shpronësuese brenda standarteve kushtetuese dhe konventore. Rregullimet ligjore pas ndryshimeve të pësuara në vitin 2020 në ligjin e posacëm për shpronësimet dhe koordinimi midis disa rregullimeve për procesin e regjistrimit të të drejtave të pronës.
Gjatë këtij aktiviteti u diskutuan dhe analizuan:
- Konkurrimi i së drejtës së pronës, shpronësimi dhe balanca e drejtë e interesave në këndvështrimin e nenit 1 të Protokollit 1 dhe të Kodit Civil Jurisprudenca e GJEDNJ-së;
- të kuptojmë dhe zbatojmë tre rregullat e nenit 1, Prot. 1;
- lidhja e nenit 1, Protokolli 1 me shpronësimin për interes publik. Kujdesi i duhur institucional për të ruajtur balancën e drejtë të interesave;
- posedimi dhe gëzimi i qetë i pronës dhe kufizimi i saj për interes publik;
- njohja, fitimi, humbja dhe mbrojtja e pronësisë;
- jurisprudenca e Gjykatë së Lartë, e Gjykatës Kushtetuese dhe e GJEDNJ-së lidhur me shpronësimet dhe të drejtën e pronësisë;
- elementët ligjorë, autoritet shtetërore përgjegjës, si dhe procedurat ligjore për realizimin e shpronësimit, sipas standarteve më të mira. Kufizime të tjera të të drejtave të pronësisë sipas ligjeve të posacme;
- ankimi gjyqësor për masën e shpërblimit të pronës objekt shpronësimi dhe praktika gjyqësore;
- prezantimi i nevojës për kalimin në njësim të praktikës gjyqësore, në lidhje me afatin e paraqitjes së padisë administrative në rastin e realizimit të procedurave shpronësuese.
Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë, prokurorë dhe këshilltarë ligjor të Republikës së Shqipërisë.

Në linkun më poshtë gjeni quiz-in e trajnimit:
https://vazhdues.magjistratura.edu.al/quiz/qsm_quiz/trajnim-per-shpronesimin/
