
Me ftesë të Ministrisë së Financave dhe Bankës Botërore, Shkolla e Magjistraturës mori pjesë, në datën 19 Nëntor 2024, në konferencën 1-ditore me temë “Sfidat dhe arritjet e mbikëqyrjes publike në përmirësimin e cilësisë së auditimit dhe raportimit financiar” që ishte dhe aktiviteti përmbyllës i projektit të kontabilitetit të zbatuar nga Shkolla e Magjistraturës me mbështetjen e Bankës Botërore.
Konferenca trajtoi zhvillimet kryesore lidhur me arritjet e realizuara në projekt, duke u fokusuar në ndikimin e mbikëqyrjes dhe kontrollit të sigurimit të cilësisë, me qëllim sigurimin që auditimet ligjore të kryhen në një mjedis të kontrolluar, transparent dhe të kujdesshëm që i shërben interesit publik. Gjithashtu, një vëmendje e veçantë iu kushtua kërkesave për dhënien e sigurisë në raportimin e qëndrueshmërisë, të prezantuara në ligjin e ri të auditimit ligjor, si një komponent kyç i projektit, në kuadër të harmonizimit të mëtejshëm të kuadrit rregullator të vendit tonë me Direktivën e auditimit të BE-së.
Shkolla e Magjistraturës, e përfaqësuar nga Znj. Ela Qokaj, paraqiti në këtë konferencë përmbyllëse një panoramë të aktiviteteve të Trajnimit të Trajnerëve, trajnimeve të shumta të zhvilluar me gjyqtarët dhe prokurorët në detyrë, udhëzuesin teknike të përgatitur si dhe modulin e-learning të përgatitur në kuadër të projektit. Njëkohësisht, ajo parashtroi produktet, rezultatet e përfituara si dhe masat që do të merren në vijim për garantimin e qëndrueshmërisë së rezultateve të arritura.



