Shkolla e Magjistraturës dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë kanë zyrtarizuar bashkëpunimin, përmes një marrëveshje, që u nënshkrua nga drejtori i Shkollës së Magjistraturës z. Arben Rakipi dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani, më datë 16 maj 2024.

Ky memorandum bashkëpunimi ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit midis Shkollës së Magjistraturës dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në fusha me interes të përbashkët, konkretisht në programin e formimit vazhdues të Shkollës së Magjistraturës, të moduleve dhe temave të trajnimit, të përshtatshme në interes të inspektorëve dhe ndihmësinspektorëve pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, të cilat do t’i nënshtrohen rishikimit çdo vit. 

Ky bashkëpunim në nivel akademik do shoqërohet me organizimin e konferencave të përbashkëta, leksioneve të hapura apo aktiviteteve të tjera në funksion të rritjes së eficencës së veprimtarisë dhe zhvillimit profesional të inspektorëve dhe ndihmësinspektorëve, e më tej edhe në shkëmbimin e ndërsjellë të informacionit në lidhje me analiza apo të dhëna, që i shërbejnë aktiviteteve të përbashkëta.

Palët bien dakord se do të organizohen për të vënë në dispozicion të publikut të gjerë, informacionin dhe rezultatet e çdo veprimi të përbashkët, përmes faqeve zyrtare dhe mjeteve të tjera të komunikimit publik.

← Kthehu te lista